Zelensky: Rusët po na godasin, por ne mbajmë kontrollin në qytetet e Donetskut

Ushtria ukrainase ka ende nën kontrollin e qytetit të rëndësishëm strategjik të Bakhmut në rajonin e Donetskut, pavarësisht sulmeve të përsëritura ruse, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili megjithatë pranoi se situata në Donbass mbetet shumë e vështirë.

Në një video-mesazh, Zelensky tha se raketat ruse dhe dronët vazhdojnë të godasin qytetet e Ukrainës, duke përhapur vdekje dhe shkatërrim.

Edhe pse ushtria ukrainase ka rimarrë mijëra kilometra katrorë territor falë një kundërofensivë të madhe që ka nisur në lindje dhe jug të vendit, zyrtarët theksojnë se përparimi nga forcat e Kievit mund të ngadalësohet ndërsa ata fillojnë të përballen me rezistencë më të fortë nga pushtuesit.

Luftimet vazhdojnë të pandërprera në provincat lindore të Donetsk dhe Luhansk, të cilat përbëjnë rajonin më të madh industrial të Donbasit, në kufi me Rusinë.

Forcat ruse janë përpjekur vazhdimisht të kapin Bakhmutin, i cili ndodhet në një rrugë kryesore që çon në qytetet Sloviansk dhe Kramatorsk.

“Luftimet vazhdojnë në zona të ndryshme të frontit. Situata mbetet shumë e vështirë në rajonet Donetsk dhe Luhansk” , tha presidenti i Ukrainës dhe shtoi se “vështirësitë më të mëdha ndodhen në drejtim të Bakhmutit, si në ditët e mëparshme. Ne mbajmë pozicionet tona”.

Nga ana e tij, shtabi i përgjithshëm i Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës tha në një postim në Facebook se ushtria ukrainase zmbrapsi 11 sulme të veçanta nga pushtuesit rusë pranë qyteteve Kramatorsk, Bakhmut dhe Avdifka (në veri të Donetsk).


Zelensky vuri në dukje se forcat ruse kanë goditur shtatë lokacione të ndryshme në 48 orët e fundit.

“Disa nga raketat dhe dronët u rrëzuan, por për fat të keq jo të gjitha. Fatkeqësisht ka dhe viktima ”, tha presidenti ukrainas.

Kievi tha të premten se pret sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania këtë muaj.

Zelensky gjithashtu pohoi se rreth 65,000 ushtarë rusë janë vrarë që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt, një shifër shumë më e lartë se vlerësimi zyrtar i Moskës (që nga 21 shtatori) për 5,937 të vdekur.

Në gusht, Pentagoni Amerikan vlerësoi se pushtuesit rusë numëruan 70-80,000 viktima (duke iu referuar shumës së të vdekurve dhe të plagosurve)./Abcnews.al/

Lexo me shume