Zgjedhjet vendore/ PL-ja me synime të qartë, thirrje Berishës: Nxirr sa më parë kandidatët për bashkitë e mëdha

Pak muaj na ndajnë nga mbajtja e zgjedhjeve vendore, e duket se partitë politike i kanë synimet e qartë.

 

Partia e Lirisë, e drejtuar nga Ilir Meta synon në këtë betejë të fortë këshillat bashkiakë.

 

Sekretari organizativ i PL-së, Endrit Braimllari, në një intervistë në studion e lajmeve të Vizion Plus me moderatorin Roland Zili tha Bashkia e Tiranës, është në fokusin e tyre primar.

 

Ai shtoi se ky qëllim është bërë i qartë që në datën 25 korrik, kur u mbajt edhe Konventa Kombëtare.

 

Ne e kemi bërë publike që në 25 korrik në Konventën Kombëtare që fokusi jonë kryesor do të jenë zgjedhjet lokale me një qëllim kryesor, për të rikthyer llogaridhënien dhe për t’I kthyer këshillat bashkiak. Dhe për këtë ne kemi ndërmarrë një aksion shumë të fortë në organizimin e Partisë së Lirisë, e cila përfshin Tiranën dhe pastaj të gjitha bashkitë e tjera.

 

Jemi fokusuar fort në Tiranë për të dhënë një mesazh të qartë të organizimit por edhe të kontributit që do japë çdo parti politike opozitare për të luftuar keqqeverisjen dhe për të arritur që në zgjedhjet e ardhshme vendore të kthehet llogaridhënia dhe këshillat bashkiak”, tha Braimllari.

 

I pyetur nëse PL ka ndonjë emër të vetin për të kandiduar për lokalet e ardhshme, ai deklaroi:

 

“Ne ja kemi bërë të qartë PD por edhe partive të tjera opozitare që ne do I bashkojmë fuqitë në fitoren e opozitës. Ne kemi figura të rëndësishme në shumë bashki të vendit, por qëllimi është të kemi një rakordim të plotë për figurat.

 

Ne nuk do jemi pengesë për PD për të vënë kushte për një apo më shumë bashki. Qëllimi jonë janë këshillat bashkiak dhe llogaridhënien”.

 

Braimllari tha se është shumë e rëndësishme që PD të nxjerrë sa më parë kandidatët për bashkitë e mëdha, në mënyrë që të nisë organizimi për fushatën.

 

Ajo që ne na intereson është që kandidati për bashkinë e Tiranës të dalë sa më shpejt, dhe PD të bëjë çdo përpjekje ta nxjerrë sa më shpejt, për të krijuar kushtet e fushatës.

 

Për ne rëndësi ka që ekipi të jetë I bashkuar dhe një figurë me integritet që të përballoj betejën e fortë që do jetë në Tiranë.

 

Detyra e opozitës është për të nxjerrë sa më shpejt kandidatët për bashkitë e mëdha dhe beteja të bëhet në ekip për të vijuar fort fushatën”, tha Braimllari.

Lexo me shume