Zgjedhjet vendore, zbulohet data kur do të përfundojnë primaret në PD, kandidatët do të kenë dy javë kohë për fushatë

Procesi i primareve në Partinë Demokratike për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet lokale të 2023 do të përfundojë në datën 4 dhjetor. Nga dje, deri më 6 nëntor janë negociatat me aleatët dhe evidentimin e kandidaturave. Ndërkohë nga data 6 nëntor deri më 13 nëntor Këshilli Kombëtar filtron kandidaturat dhe më pas bëhet publikimi zyrtar i emrave.

Kandidatët e përzgjedhur do të kenë dy javë kohë për të bërë fushatën e primareve dhe në datën 4 dhjetor do të zhvillohen primaret në të gjithë Shqipërinë. Afati për të gjithë ecurinë e procesit të primareve u vendos dje në mbledhjen e Kryesisë së organizuar nga Sali Berisha. Gjatë fjalës së tij para demokratëve Berisha theksoi se PD do jetë më e hapur duke e lënë në dorë të anëtarësisë vendimin për primaret. Berisha deklaroi se të gjithë janë të lirë të paraqesin vullnetin e tyre për të kandiduar, ndërsa shtoi se ky është një hap i rëndësishëm për demokracinë e vendit.

“Sot jemi mbledhur për miratimin e udhëzuesit që ka të bëjë me modalitet e pjesëmarrjes së simpatizantëve në primaret për zgjedhjet e pushtetit vendor 2023. Mbledhja është në përputhje me përcaktimet statuore. Ne vazhdojmë me përpjekje për transformimin e jetës së PD në një forcë më demokratike më të hapur, e cila vendimmarrjen kryesore ja beson anëtarësisë dhe simpatizantëve. Beteja për votën e opozitës shqiptare është për idealet më të larta demokratike për të vendosur në themel të shtetit ligjor vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë. Udhëzuesi ka edhe datat për veprime konkrete. Janë zhvilluar dhe do të zhvillohen takime me aleatët për të gjetur gjuhën e përbashkët. Kanë sugjerime të drejta. Theksoj se mirëpriten të gjitha sugjerimet e tyre dhe kandidaturat e tyre.”, tha nder te tjera Berisha.

Lexo me shume