Zhupa: Mbyllët dy institucionet me standardet më të larta. Kushi: Gjykata i ka dhënë të drejtë vendimit të Këshillit të Ministrave

Mbyllja e dy institucioneve arsimore private është bërë sërish temë diskutimi në Kuvendin e Shqipërisë.

Deputetja demokrate Ina Zhupa akuzoi Ministren e Arsimit, Evis Kushi dhe qeverinë se ka mbyllur në mënyrë të padrejtë dy nga institucionet me standardet më të larta në Shqipëri. Sipas saj qeveria shqiptare u soll si vasale e një shteti tjetër.

Në përgjigjen e saj ministrja Kushi deklaroi se mbyllja e dy institucioneve erdhi për shkak të mos respektimit të ligjit, duke shtuar se opozita nuk duhet të hedhë akuza ndërkohë që ajo që duhet të thotë fjalën e saj në këtë çështje që është drejtësia, i ka dhënë të drejtë vendimit të Këshillit të Ministrave.

Pjesë nga debati:

Zhupa: U mbyllën një shkollë dhe një kopësht, të dyja në shërbim të fëmijëve shqiptarë. Rama dhe Nikolla i kanë dhënë çertifikatë pak vite më parë, ndërsa sot thonë nuk kanë standarde. Me thënë të drejtën nuk kanë për institucione me standarde më të larta se këto dy institucione. Mund të më thoni se çfarë standardesh nuk plotësojnë?

Kushi: 10 ditë më parë gjatë një fjale këtu dhashë shpjegime në lidhje me vendimin e qeverisë për mbylljen e institucioneve arsimore, ku theksova është një vendim administrativ nuk duhet politizuar. Më vjen keq që ju në letër shkruani sipas të dhënave në media kemi të bëjmë me një vendimmarrje abuzive. E para jo të gjitha mediat kanë dalë në këtë konkluzion. As ju dhe as ne nuk mund t’i referohemi medias për të vlerësuar ligjshmërinë e këtij vendimi, janë institucionet e drejtësisë. Gjykata e ka dhënë fjalën e parë duke i dhënë të drejtë këshillit të Ministrave. Së dyti ju thoni heqja e licencave cënon të drejtën për arsimim për qindra fëmijë. Ky është abuzim, pasi sot të gjithë nxënësit janë sistemuar në kopshte dhe shkolla të tjera, të gjithë po vijojnë mësimin. Në letër shkruani dhe diçka tjetër çdo institucion privat arsimor mund të jetë target iu sulmeve nga ana e institucioneve shtetërore, po si mund të nxisni konflikt, shteti i mbron ato për sa kohë që zbatojnë ligjin. Shteti nuk është PS, shteti janë institucionet, ligjet, njerëzit. Sa i përket shkollës, ky institucion ka ndryshuar vendndodhjen pa marrë lejen e Minsitrisë së Arsimit. Ky institucion i ka dërguar dy shkresa Ministrisë së Arsimit, por ministria nuk i ka miratuar, pasi pas inspektimit nuk respektonin standardet, duke nisur nga higjena deri tek kushtet e tjera, e njëjta gjë ndodh edhe me kopështin.

Zhupa: Zonja ministre hajde shkojmë bashkë në një shkollë në një kopësht që plotëson standardet më shumë se këto dy shkolla që kemi. Sot kemi kushte Migjeniane duke u ngrohur me dru. Edhe shkollën që bëtë 4 milionë euro sërish nuk e keni me standardet me shkollat që mbyllet. Sa i përket ligjit gënjyet, ligji nuk ju thotë t’i hiqni liçencën, si fillim i paralajmëroni, pastaj i vini kushtet, pastaj gjobë, dhe pastaj mund të shkoni mbyllje. Por ju jeni vasalë pasi siç e tha dikush juve nuk ju pëlqejnë ato fonde që vijnë nga fondacioni Gylenit. Keni mbyllur në mënyrë të padrejtë dy institucione me standarde shumë të larta.

/Abcnews.al/

Lexo me shume